Mati një nga 6 bashkitë ku do të pilotohet hartimi i planit të integritetit nëpërmjet metodologjisë së vlerësimit të rrezikut të korrupsionit
TIRANË, 8 mars /ATSH/- Dy instrumente të rëndësishme për luftën kundër korrupsionit në nivel vendor, metodologjia për hartimin e planeve të integritetit dhe modeli standard i kodit të sjelljes, po konsultohen me 61 Bashkitë e Shqipërisë nëpërmjet 4 takimeve konsultative rajonale.
Në kuadër të asistencës së projektit të UNDP-së STAR2 ”Konsolidimi i Reformës Territoriale dhe Administrative”, Bashkitë e Shqipërisë po mbështeten për forcimin e etikës dhe integritetit.
Takimi i dytë u zhvillua sot në Shkodër me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau-Dejës, Pukë, Fuzhë Arrëz, Lezhë, Mirditë, Kukës, Has, Tropojë, Dibër, Bulqizë, Mat, Klos, Kurbin. Pas prezantimit të dy instrumenteve, Bashkia Mat ishte e para që shprehu interesin për të qenë një nga 6 bashkitë ku do të pilotohet hartimi i planit të integritetit nëpërmjet metodologjisë së vlerësimit të rrezikut të korrupsionit.
Ndërsa po punohet për 5 bashkitë e tjera që të ndërgjegjësohen për t’ju nënshtruar këtij procesi.
STAR2 – Konsolidimi i Reformës Territoriale dhe Administrative – është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian, Suedia, Italia, Zvicra, USAID, UNDP dhe Qeveria e Shqipërisë në mbështetje të konsolidimit të njësive vendore të Shqipërisë. Partneri zbatues i projektit është Ministria e Brendshme. Projekti zbatohet nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri. e.xh/ /a.g/























