TIRANË, 6 Mars /ATSH/ -“Shqipëria, si një vend kandidat për anëtarësim në BE, është shumë e interesuar që programet e bashkëpunimit me UNICEF të jenë të pajtueshme dhe pjesë e strategjisë së zhvillimit të Qeverisë Shqiptare, në mbështetjen e reformave të gjithanshme të Shqipërisë drejt integrimit në BE”.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot përfaqësuesin e UNICEF-it në Shqipëri, Roberto de Bernardi. Takimi u organizua në kuadrin e vizitës në Tiranë të Afshan Khan, Drejtoreshë Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në UNICEF.
Gjatë kësaj vizite, e cila do të realizohet në fillim të muajit prill, Afshan Khan do të takohet me Kryetarin e Kuvendit, do të zhvillojë një sesion pune me Grupin e Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” si edhe do të asistojë në një senacë plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, vlerësoi veprimtarinë e ekipit të OKB-së në Shqipëri, i cili funksionon, vepron sipas konceptit, “një OKB”, një model që Shqipëria e ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë, si një mënyrë më efikase për të bërë ndihmën e OKB-së më efektive.
Ruçi shprehu mbështetjen e plotë të Kuvendit për Zyrën e UNICEF-it në Tiranë, në mënyrë të veçantë bashkëpunimin me Grupin e Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, për të avancuar më tej bashkëpunimin ekzistues drejt synimeve të për përmirësimin e gjendjes dhe kushteve të fëmijëvë shqiptarë.
“Shqipëria është ndër vendet e përkushtuara për të mbrojtur dhe promovuar të gjitha të drejtat e njeriut dhe mbështet integrimin e dimensionit të të drejtave të njeriut në agjendën e Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
/gj.mima/ /a.g/





















