TIRANË, 4 mars/ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini në një intervistë televizive është shprehur se mazhoranca do të pranonte dialogun, nëse Presidenti Ilir Meta do të merrte përsipër që të ulte partitë politike në tavolinën e bisedimeve.
Duke komentuar deklaratën e Presidentit Meta, i cili bëri thirrje që palët duhet të ulen dhe të dialogojnë, deputeti socialist tha se priste që Meta të merrte përsipër dialogun.
Më tej Ulqini, u shpreh se ndihet i keqardhur për djegien e mandateve të opozitës.
“Unë nuk e shikoj si kundërshtarë politik dhe ajo është një forcë politike e cila ka investuar në formimin e demokracisë. Sot kjo opozitë ka djegur mandatet kur po hapën negociatat, kur po jetësohet Reforma në Drejtësi. Pas 28 vitesh të gjithë kemi të drejtë të mësojmë nga gabimet. Pas 28 vitesh të gjithë ne këtu kemi parë se si funksionin. Është një gjë që nuk e justifikon veprimin. Është një veprim parapolitik. Si e morën këtë veprim, me kë u konsultuan?! Ata kanë qenë betuar për ato mandate. Unë nuk kam fare dëshirë të merrem me çështjen se kush vjen dhe çfarë përfaqëson. Unë dua të shpreh keqardhjen time të thellë”, – u shpreh ai.
Ai gjithashtu theksoi se mazhoranca nuk është sjellë arrogante në sallën e Kuvendit, sikundër pretendon opozita.
“Duhet bërë një analizë se si është sjellë mazhoranca drejt opozitës. Shifrat janë alarmante dhe qesharake sepse ata nuk kanë bërë detyrën. Ne kemi miratuar 30 ligje në Parlament dhe është një pritshmëri shumë e madhe Reforma në Drejtësi dhe vetën dy ligje ka votuar opozita. Dhe këtu është arroganca e Edi Ramës, e mazhorancës?!”, – përfundoi deputeti Ulqini.
/e.caushi/













