Balla: PS e gatshme për dialog, jo negociata në kurriz të demokracisë

TIRANË, 4 mars/ATSH/ – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste shprehu edhe njëherë gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të dialoguar me partitë opozitare, duke hedhur poshtë idenë për negociata, të cilat sipas tij janë në dëm të demokracisë Shqiptare.

“Dialogu është i mirëpritur dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që Partia Socialiste të mos jet pjesë e një dialogu, por duhet të jetë shumë e qartë që ka një dallim mes dialogut dhe negociatave mes palëve. Ne jemi për dialog për çështje të rëndësishme të vendit dhe ndër to është dhe procesi i integrimit Europian, që është i domosdoshëm. Kemi qenë për dialog edhe për çështjen e Reformës Zgjedhore, sepse e konsiderojmë këtë si një nga kushtet themelore që Shqipëria duhet të përmbush në kuadër të integrimit Europian. Kurrsesi nuk mund të bëjmë negociata në kurriz të demokracisë dhe të jetë e qartë për këdo. Opozita është e përfaqësuar në Kuvend nga deputetë të cilët po rimarrin mandatet dhe përgjegjësitë për të qenë pjesë e tij, dhe dialogu, me apo pa ndërmjetësimin e Presidentit është gjithnjë i mirëpritur, por jo negociata në kurriz të demokracisë.”, u shpreh Balla gjatë një interviste televizive.

Sipas Ballës nuk ka asnjë arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tij Qeveria dhe Kuvendi janë legjitime.

“Qeveria është legjitime, sepse buron nga një Parlament legjitim, zgjedhjet e vitit 2017 të certifikuara qoftë nga OSBE-ODIHR, qoftë nga Komisioni Europian, kanë provuar këto institucione legjitime, të cilat kanë për detyrë të punojnë në funksion të qeverisjes së vendit”, – u shpreh Balla.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.