Ballina Aktualitet

Standard i ri në formimin e ekspertëve të hetimit në Policinë e Shtetit

TIRANË, 4 mars /ATSH/ – ”Me hapjen e Kursit të Oficerit të Policisë Kriminale, fillon periudha e një standardi të ri në formimin e ekspertëve të hetimit në Policinë e Shtetit. Akademia ka qenë për shumë vite e “harruara e madhe” e Policisë së Shtetit”, deklaroi sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në ceremoninë e hapjes së Kursit të Oficerit të Policisë Kriminale Tiranë.

Ai tha se harresa e papërgjegjshme ndaj këtij institucioni jetik ka sjellë pasoja të rënda, të cilat vijojnë ende që të ndikojnë mbi cilësinë e shërbimit të Policisë, edhe pas përmirësimeve të ndjeshme që u bënë në vitin 2014.

Ministri theksoi se “nevoja për cilësi të re në nivelin e formimit të oficerëve të Policisë së Shtetit, kushtëzohet ndër të tjera edhe me kërkesat në rritje që lidhen me fatin e reformës në drejtësi”.

“Reforma në drejtësi, e cila tashmë ka hyrë në fazën e saj kulmore dhe të pakthyeshme, mund të japë rezultatet e pritura vetëm atëherë kur Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligj zbatuese në tërësi, por sidomos strukturat e Policisë Kriminale dhe ato të Hetimit në veçanti, janë në nivelin e duhur si në aspektin e integritetit, ashtu dhe në atë profesional”, u shpreh Lleshaj.

Ai shtoi se kursi që hapet sot i adresohet në mënyrë të posaçme hetimit të krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik. Duke përforcuar kapacitetet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne japim një kontribut esencial në përmirësimin e nivelit të sigurisë publike, krijojmë kushtet e domosdoshme për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik dhe kulturor të vendit si dhe mbështesim me vendosmëri procesin e integrimit europian të tij.

Ministri vuri në dukje se përgjigja impresionuese e më të mirëve për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit është provë e qartë se ata mund të bashkohen edhe në stafet universitare, ato të administratës, të drejtësisë etj. Por me një kusht: ata duhet të kërkohen, të inkurajohen dhe të gjejnë hapësira për këtë. Sot, ju të nderuar studentë bashkoheni në radhët e Akademisë së Sigurisë, ku studiojnë një pjesë tjetër e rëndësishme oficerëve të ardhshëm të Policisë së Shtetit dhe ku kualifikohen gjithë të tjerët.

Lleshaj falënderoi edhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare të asistencës për mbështetjen e deritanishme si dhe për programet ambicioze që kemi në proces për të ardhmen.

/a.a/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVendet vakante në Kuvend, KQZ zëvendëson 4 mandate të LSI-së
Artikulli tjetërUASHINGTON – WSJ: SHBA dhe Kina shumë pranë një marrëveshjeje tregtare