TIRANË, 1 mars/ATSH-Maela Marini/ “Shkëmbimi i territoreve kurrë nuk do të ndodhë, pasi shkëmbimi i territoreve është pazar dhe askush nuk do të lejohet të bëhet pazar me kauzën kombëtare”, deklaroi sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në fjalën e mbajtur në Samitin e Dytë të Diasporës të organizuar në Tiranë, Thaçi tha se “pa shkelur mbi trupin tim, nuk do ta cënojë kush asnjë milimetër të Republikës së Kosovës, as Trepçën, as Mitrovicën dhe asnjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”.
“Për ndarje dhe tema të tilla, ata që flasin sot, janë ata që kanë ndihmuar Millosheviçin”, u shpreh Thaçi.
Ndërkohë sipas tij, “korrigjimi i kufijve, po”. “Sepse nuk ka njeri në botë që ma mohon angazhimin tim për bashkëngjitjen me territorin e Republikës së Kosovës pa cënuar territorin e saj të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjevës”.
Ne nuk do të lejojmë, tha Thaçi, që asnjë broçkull të cënojë raportin e posaçëm dhe të përjetshëm me SHBA-në.
Thaçi vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi.
“Ju keni ndarë edhe kafshatën e gojës për UÇK-në, prandaj liria dhe pavarësia e Kosovës është produkt i drejtpërdrejtë i juaji. Kosova sot po ecën përpara me hapa të sigurt. Kosova ka edhe kundërshtarë të pavarësisë që e ngadalësojnë progresin e konsolidimit të jashtëm të shtetit, por ne kemi bërë reforma të jashtëzakonshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion”, tha Thaçi.
Ai veçoi krijimin e ushtrisë së Kosovës, për të cilën ka pasur pengesa, por që kemi mbështetjen e qartë, të sigurt dhe unike të SHBA-së.
“Tani jemi në një moment të ri kur Kosova me mbështetjen e plotë të SHBA-së, udhëheqjen e BE-së dhe në koordinim të plotë të tyre, po përgatitet të hyjë në dialogun përfundimtar për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë”, tha Thaçi.
Synimi, sipas tij, “është që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin dhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
“Ne nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë organizimin e ndonjë konference ndërkombëtare ku merr pjesë edhe Rusia. Kosova është vetëm në një proces ku BE e udhëheq dhe ka mbështetjen e SHBA-së. Po ashtu, nuk do të lejojmë as të qarkullojë më tutje si ide, krijimi i një unioni ballkanik. Duhet të ndërpritet çdo ide për ndonjë union ballkanik, pasi është cënim i kombit tonë, i vlerës euroatlantike të kombit. Ideja e unionit ballkanik është rikthim prapa për kombin tonë. Unioni ynë i vetëm është BE”, deklaroi Thaçi. /j.p/























