TIRANË, 1 mars /ATSH/ – Ditët e pemëve nisën sot me mbjelljen e fidanëve nga nxënësit e shkollës ”Jeronim De Rada” pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm në mbjelljen e fidanëve dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
”Shkollat janë angazhuar për mbjelljen e mijëra pemëve. Në ditët e pemëve 1 dhe 2 mars të jenë dhe qytetarët pjesë e kësaj nisme duke mbjellë 5 pemët e tyre në aksionin tonë të madh ”Krijo oksigjenin tënd”. Shkolla ”Jeronim de Rada” ka zgjedhur të vijë në parkun mes qytetit për ta transformuar atë në një park me shumë më tepër pemë, nxënësit i kanë zgjedhur vetë pemët e tyre. Si kjo shkollë në të gjithë vendin Agjencia e Zonave të Mbrojtura ka përcaktuar parqe publike, zona pranë lumenjve, zona rekreative në kryeqytet për të mbjellë pemë”, u shpreh Klosi.
Ai gjithashtu shtoi se ”sot kemi informacion se 12 prefektët kudo në Shqipëri po organizojnë këtë aksion për të mbjellë mbase mbi 1 milion pemë. Do doja shumë që ky operacion mos të vazhdoj për një ditë po nxënësit ta kenë këtë pjesë të edukimit mjedisor dhe shkolla ”Jeronim de Rada” është shembulli sesi angazhimi i kolektivit mësimor së bashku me prindërit sot po bëjnë një aktivitet pozitiv në botëkuptimin e fëmijëve dhe dashurinë për natyrën”.
”Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në shkallë vendi ka ndërmarrë edhe disa operacione që kanë të bëjnë me shumë më tepër pyllëzim në zonat e mbrojtura por kërkojmë që ky operacion mos të jetë vetëm pjesë e strukturave të mjedisit, bashkive apo prefektëve po të jetë si sot me nxënësit e shkollave ku qytetarët të mbjellin 5 pemët e tyre”, u shpreh Klosi.
”Nesër do të kemi përsëri këtë aktivitet ku ja kemi dedikuar shoqërisë, njerëzve të lirë të cilët mund të mbjellin këto pemë në oborret e tyre e kudo, do ishte mirë ta zgjerojmë këtë aktivitet në hapësira publike duke patur mundësi të mbjellim për fëmijët, të kujtojmë njerëz të dashur. Thelbi jonë është që fëmijët e vegjël të jenë ata të cilët e mbjellin një pemë të tyre dhe një nga këta fëmijë që sot mbjellë një pemë zor se do të presë një pemë gjatë jetës së tij”, përfundoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. /a.a/ /a.g/























