TIRANË, 27 Shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ – “Gjatë këtij mandati do të mund të çelim kantierin më të madh në historinë e Universitetit për të kryer një transformim epokal të situatës, nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e logjistikës, nga pikëpamja e kushteve të brendshme të procesit përmbajtësor mësimor, nga pikëpamja e konvikteve”.
Kryeministri Edi Rama duke folur sot në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes u shpreh se, Pakti për Universitetin është një proces i jashtëzakonshëm nga pikëpamja e kompleksitetit, por është një angazhim solemn i yni.
“Platforma i ka qenë pranë studentëve në këtë periudhë. Ka dhënë një ndihmë goxha të vyer në një rrumpallë të vërtetë që u krijua ca nga nga ata xhagajdurët që bllokonin korridoret, e ca nga disa drejtues të Universitetit që fshiheshin pas tyre, duke lënë shumë studentë në errësirën e plotë të informacionit lidhur me angazhimet e qeverisë, me vendimet e qeverisë me Paktin për Universitetin”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Kanë qenë mbi 1000 pyetjet e drejtuara në dritaren e posaçme që u krijua për studentët dhe skuadra e platformës, së bashku me të tjerët dhe Ministrin e Arsimit, kanë kryer një volum pune të jashtëzakonshëm për të dhënë përgjigje duke lehtësuar për shumë informacionin që ishte detyrë e Universiteteve ta jepnin. Sot ka ende disa probleme të vogla që vijnë si rezultat i disa vonesa të shkaktuara nga disa segmente në Universitetet, por përgjithësisht, janë bërë disbursimet e fondeve”, theksoi Rama. Aktualisht është realizuar pagesa e gjysmës së tarifës së studentëve nga ana e qeverisë. Janë bërë disbursimet për pagesën 100% të tarifës për ata me 9-a dhe 10-a, për ata me ndihmë ekonomike, për ata me probleme specifike shëndetësore apo sociale që janë përcaktuar si kategori përfituese. Janë lëvruar edhe fondet për bursat që përfitojnë studentët më të mirë kategoritë që përmenda.
Kështu, tha Rama, “jemi në një fazë të re, ku sigurisht ka ende shumë për të bërë, pasi Pakti për Universitetin nuk është një fjalë goje, por është një angazhim madhor i qeverisë, dhe që kërkon dhe ndërveprim intensiv me Universitetet, jo vetëm me drejtuesit dhe stafet pedagogjike por edhe me studentët”.
Praktikisht, u shpreh Rama, “përpara mbledhjes së qeverisë sot, kishim mbledhjen e përjavshme që ne bëjmë me të gjithë ministrat dhe një numër deputetësh të angazhuar me Paktin për Universitetin, sipas zonave universitare dhe jemi në fazën e mbledhjes së të gjitha të dhënave për nevojat e Universiteteve në drejtim të infrastrukturës, për ato nevoja që kanë projekte, për ato që janë nevoja legjitime, por për të cilat mungojnë projekte dhe duhen bërë. Së dyti, për logjistikën, mjetet didaktike, laboratorët. Së treti, praktikat e punës dhe konsulencat, për t’i qëndruar një pike tjetër angazhimi që ne kemi marrë, ku ministritë sipas fushave të lehtësojnë hyrjen në treg të universiteteve dhe të financojnë konsulenca dhe ekspertiza nga brenda Universitetit që të krijojnë burime financiare për universitetin dhe për ata që do të përfshihen”. /j.p/






















