Ballina Aktualitet

FOTOGALERI- Pasojat e dhunës nga protesta e opozitës


TIRANË, 16 shkurt/ATSH/- Në protestën e sotme të opozitës u shkaktuan një sërë dëmesh kryesisht në godinën e Kryeministrisë dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protesta u shoqërua me akte dhune, kryesisht në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit e mbledhur nga opozita tentuan të hyjnë brenda.

Ata dëmtuan dyert dhe thyen xhamat në hyrjen kryesore të godinës së Kryeministrisë, pasi e goditën me skela, tulla e gurë, ndërsa i vunë flakën edhe copave që mbulonin skelën. Gjithashtu, protestuesit duke u ngjitur mbi skelë disa herë, shkatërruan dhe thyen edhe xhamin e dritares në katin e dytë.

Ata shkatërruan edhe instalacionin “Kërpudha”, e vendosur në kopshtin e ndërtesës së qeverisë, që ishte një vepër arti, dhuruar nga autori Carsten Höller.

Aktet e dhunshme dhe veprimet vandale të protestuesve kanë lënë gjurmë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protestuesit kanë hequr pllakat e trotuareve, ndërsa në rrugë vihen re që nga shishet deri edhe tek shkopinjtë e drurit, çekiçët, fishekzjarret dhe kapsollat e hedhura në drejtim të godinës së Qeverisë.

/k.s/ /a.g/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAksi Kardhiq-Delvinë, Qato inspekton punimet në lotin 4
Artikulli tjetërRama mesazh protestuesve, vlonjatëve dhe policisë