TIRANË, 16 shkurt/ATSH/- Kurorës së gjelbër të qytetit të Pukës i shtohen edhe 1000 drurë të tjerë Akacie, të mbjellë përgjatë skrapatave në grykëderdhjen e Liqenit të qytetit, duke krijuar një tjetër pamje piktoreske për qytetin verior.
Aksioni i radhës erdhi pas çlirimit të kësaj pjese nga mbeturinat e shumta dhe bimësia e egër që mbizotëronte në hyrje të qytetit.
Pas kësaj zone, të hënën e ardhshme, Shërbimi Pyjor pranë bashkisë do të pyllëzojë skrapatën e zhveshur përballë varrezave, ndërkohë që vijon aksioni për mbjelljet në rrugën e Qelzës.
Bashkia e Pukës bën të ditur se “mbjelljet e reja, janë të parat kaq masive pas 28 vitesh në Pukë, ndërkohë që ne nuk përdorem fonde të veçanta, as tendera. Çdo gjë në këtë aksion po realizohet përmes kontributit vullnetar të kultivuesve të fidanëve dhe falë angazhimit të mjeteve e burimeve njerëzore që ka bashkia”.
“Vetëm në këtë sezon mbjelljesh kemi bërë shumëfishin e asaj që deri tre vite më parë të tjerët në bashkinë e Pukës i bënin duke përdorur fonde e tendera, investime të cilave sot nuk ju dihet nam e nishan”, shprehet bashkia.
Po gjatë muajit shkurt më shumë se 2000 rrënjë akacie u mbollën në skrapatat e rrëshqitshme gjatë segmentit rrugor Qafë-Qerreti – Qelëz, në Pukë./k.s/e.caushi/























