Shkodër, shtohen 2 kënde lojërash për fëmijë

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/- Qytetit të Shkodrës i shtohen 2 kënde lojërash dhe së shpejti, edhe një i tretë.

Bashkia e Shkodrës ka në fokus krijimin e hapësirave të reja për argëtimin e fëmijëve, ku  përveç këndit të ri të lojërave në qendër të qytetit tek Shatërvani, ka përfunduar edhe këndi i ri i lojërave tek lulishtja “Isa Boletini”.

Një tjetër do të ndërtohet tek lulishtja e Universitetit, siç njihet në Shkodër, si pjesë integrale e rikualifikimit të gjithë zonës atje.

Po ashtu, edhe në lagjen “Xhabije”, pas rikualifikimit që po realizohet, fëmijët do të kenë këndin e tyre të lojërave.

Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi, i konsideron shumë të rëndësishme investimet për këndet e lojërave sepse janë një investim direkt për të ardhmen.

Fëmijët dhe argëtimi i tyre ka qenë dhe do të jetë prioritet i bashkisë së Shkodrës edhe në vitet në vijim. Në çdo punë publike, aty ku hapësira do ta mundësojë, këndet e lojërave për fëmijët do të jenë përparësi për t’i ndërtuar./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.