TIRANË, 14 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Ngjarja e Edi Palokës sot në Kuvend ishte e rëndë, jo vetëm se ishte një seancë solemne e ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, tha sot nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, në një intervistë në Fax News.
Duke folur për seancën e sotme të Kuvendit, Hysi tha se “sot parlamenti kishte një seancë solemne, pasi Kuvendi ratifikonte protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe është një ngjarje shumë e rëndësishme. E dyta, kishim një mik, Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Dhe e treta, flitej për anëtarësim në një organizatë shumë të rëndësishme që ka të bëjë me sigurinë në rajon dhe më gjerë. Çfarë do të thotë se ngjarja e Palokës është e rëndë për dy arsye. E para, përfaqëson një nga zv/kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë. E dyta, përfaqëson një grup të madh të opozitës”.
Për sa i përket vendimit të Byrosë së Kuvendit për masën ndaj Edi Palokës, Hysi tha se “sot është mbledhur Byroja në mënyrë urgjente dhe ka caktuar masë përjashtimin me 10 ditë dhe ndërprerje financiare, ndërkohë që nuk është shprehur për përjashtimin e tij si nënkryetar, pasi nuk është në kompetencën e Byrosë”.
Ndërsa e pyetur se PD e konsideron veprimin e Edi Palokës si përgjigje ndaj bullizmit bërë nga Kryeministri Rama në seancën e mëparshme, Hysi tha se “Paloka është shprehur në media që kjo është fillimi i protestës së 16 shkurtit dhe nuk ka lidhje me bullizmin”. /e.caushi/























