Ballina Aktualitet

Vetingu, Drejtësia e re do ndëshkojë gjykatësit e korruptuar

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ – Në raportet e Ambasadës amerikane thuhet se vrasësi i katër policëve është i lidhur me njeriun më të afërt të Saliut.

Kështu u shpreh Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë një takimi me qytetarët e Rrëshenit ndërsa tha se kryeministri nuk fut njeri në burg, por është Drejtësia ajo që e bën këtë.

“Ne jetojmë në një sistem ku kryeministri nuk fut njeri në burg, nuk është as prokuror, as gjykatës. Qeveria nuk fut njerëz nëpër burgje. Në burg të çon Drejtësia. Për të nxjerrë para ligjit të gjithë ata që kanë probleme me drejtësinë, duhet një drejtësi e drejtë. Drejtësinë e drejtë ne nuk e kemi pasur në të gjithë këto vite, sepse Drejtësinë e drejtë e kanë penguar gjykatës dhe prokurorë si këta dhe politikanë si ai zorzopi i Tiranës, që me pafytyrësinë më të madhe e bën vrasësin e 4 policëve mikun tim, ndërkohë që në raportet e Ambasadës amerikane që u bënë publike është e shkruar e zeza mbi të bardhë, që vrasësi i katër policëve ishte i lidhur me njeriun më të afërt të këtij zorzopi, të Saliut. Ky është fakt. Këtu  historia është merre të vërtetën dhe ktheje përmbys dhe hidhja njerëzve dhe zien kazani çdo natë me gjithfarë historish, shpifjesh, vetëm e vetëm sesi të dëshpërojnë dhe çorodisin njerëzit, që të mos shohin të vërtetën në asnjë mënyrë. Kjo është e gjitha”, theksoi Rama.

Duke iu kthyer përgjigje qytetarëve nëse Vetingu vetëm pushon njerëz nga puna, Rama tha se do të nisë një fazë tjetër ku gjykatësit e prokurorët e korruptuar nuk do të shpëtojnë lehtë.

“Njerëzit thonë po për kaq ishte reforma, për të pushuar nga puna këta njerëz që përderisa janë kaq të zhytur dhe të korruptuar duhet të jenë në burg? Jo. Reforma në këtë fazë është pastrim i një sistemi të ri. Sistemi do të merret me këta, patjetër me këta dhe këdo, sepse e ndesh këtë sa herë ndodh diçka e tillë, ose sa herë njerëzit acarohen apo dëshpërohen”, -tha ndër të tjera Rama. z.tosku/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNJU JORK – Kompania ”Ford’ ushtron presion ndaj May-t në sfondin e Brexit
Artikulli tjetërSistemi shëndetësor, Rama: Të gjitha nevojat e spitaleve do të plotësohen