TIRANË, 13 shkurt/ATSH/- Kosova më 17 shkurt të këtij viti feston 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj, ndërsa kanë nisur përgatitjet e para të festimeve.
Shënimi i kësaj dite të veçantë në mënyrë solemne do të fillojë që nga 16 shkurti. Ndër manifestimet kryesore për shënimin e 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë do të përfshijnë nisjen e Deklaratës së Pavarësisë nga objekti i Qeverisë në 7 qendrat kryesore të Kosovës, vendosjen e punimeve artistike “Simbolet e Pavarësisë”, në sheshin “Skënderbeu”, hapja e panairit të produkteve vendore si dhe vendosja e flamurit shtetëror në rrethet kryesore të kryeqytetit.
Pas mbledhjes së Qeverisë, simboli shtetëror që do të vendoset në mes të oborrit të Kuvendit dhe atij të Qeverisë, do të ngrihet përsëri nën himnin shtetëror dhe me praninë e presidentit, kryeministrit, kryekuvendarit dhe komandantit të FSK-së.
Ndërkaq, Ambasada e Kosovës në Tiranë nesër, më 14 shkurt do të organizojë një pritje ku të ftuar do të jenë nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, drejtuesit e qeverisë dhe të parlamentit shqiptar si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të përfaqësues të biznesit si dhe të medias, në kuadër të 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Kosova gjatë këtyre viteve ka shënuar konsolidimin e saj në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Në këtë kontekst, ky 11-vjetor e gjen më të konsoliduar në shumë drejtime dhe para saj është sfida e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Disa ditë më parë është bërë e njohur edhe logoja zyrtare për këtë përvjetor.
/z.t/e.caushi/






















