Ballina Ekonomi

Ndërtimet informale, miratohet kompensimi i pronarëve

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale, në drejtoritë e ALUIZNI-t, përkatësisht, Tiranë veri, Elbasan, Tiranë jug, Tiranë shtesat, Vlorë, Durrës, Shkodër, Korçë, Kukës, Kavajë, Fshatra Turistikë dhe Kamzë, Vorë.

Miratimi vjen në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, dhe të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë.

Masa e kompensimit është 43 920,53 (dyzet e tre mijë e nëntëqind e njëzet presje pesëdhjetë e tre) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 522 842 426,65 (pesëqind e njëzet e dy milionë e tetëqind e dyzet e dy mijë e katërqind e njëzet e gjashtë presje gjashtëdhjetë e pesë) lekë.

Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, do të veprohet sipas rendit.

Shuma e kompensimit financiar vendoset nga Agjencia e Trajtimit të Pronës në një llogari bankare të posaçme dhe nuk mund të disponohet nga subjekti përfitues pa zgjidhjen e shkakut të kufizimit në rrugë gjyqësore, sipas pikës 15, të vendimit nr. 465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.

Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga ALUIZNI, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht, në Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Korçë, Kukës, Kavajë dhe Shkodër kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

Vendimi do të zbatohet nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLITUANI – Sekuestrohen 1,5 tonë lëndë narkotike e destinuar për tregun rus
Artikulli tjetërVetingu, KPK shkarkon nga detyra ndihmësen ligjore Ana Golloshi