BBC album fotosh për bunkerët e Shqipërisë

LONDËR, 13 shkurt /ATSH/ – Fotografi Robert Hackman ka krijuar një album me fotografi që dokumenton shumë bunkerë që u ndërtuan në Shqipëri mes viteve 1975-89, thënë ndryshe gjatë Luftës së Ftohtë, njofton BBC.

Ndërsa mendohet se janë rreth 500 000 të tillë, disa bunkerë janë gjendje të rrënuar ose janë përshtatur për kafene, shtëpi, restorante, pishina, hambarë, ura dhe rezervuarë uji.

Gjatë viteve të pasigurta të Luftës së Ftohtë, kur kombet përgatiteshin për t’u përballur me mundësinë e një lufte bërthamore me pasoja shkatërruese, diktatori shqiptar Enver Hoxha e bindte vendin se bota jashtë kufijve dëshironte të përmbyste shtetin e tyre komunist.

Në vend që të prodhonte mjete teknologjike, Shqipëria prodhoi bunkerë në masë.

Albumi i Hackman, i titulluar ”Metamorfoza”, tregon bunkerët siç duken sot.

Hackman thotë se “fabrikat e prodhimit të betonit në çdo bashki filluan ndërtimin e bunkerëve 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit nga viti 1976 deri në vitin 1989”.

“Një punëtor që unë kam intervistuar më tha se fabrika  ku punonte operonte me sistem tri turnesh nga tetë orë secili. Secili turn bënte pjesë të ndryshme në mënyrë që askush të mos informohej mbi detajet e sakta të ndërtimit të bunkerëve”, thotë ai.

“Dikush tjetër, një inxhinier që punonte në terren përgjegjës për ngritjen e bunkerëve më informoi se ai punonte 10 orë në ditë, çdo ditë për tetë vjet”, shton Hackman.

Kur e pyeta nëse  e kishte vënë ndonjëherë në dyshim kërcënimin e perceptuar dhe nevojën për bunkerë, ai u përgjigj se ata dëgjonin rregulisht alarme të rreme për sulme ajrore.

“Shumica e shqiptarëve i shikojnë bunkerët si një pengesë,  por rrallëherë  si diçka e shëmtuar për syrin. Ka kaq shumë sa ata janë mësuar me praninë e tyre, pak a shumë  si një londinez me kutitë e kuqe  telefonike ose njujorkezët me taksitë e verdha.

Ata janë bërë pjesë e jetës së tyre të endura në strukturën e mjedisit të tyre.

Një fermer më tregoi një bunker të këmbësorisë me një pjesë të vogël anash të hequr për të krijuar hapësirë  për një rrugë.

Ajo që dukej si një punë e vogël, i kishte marrë atij dhe të vëllait  tri ditë punë me një pistoletë minatori.

“Më lart në kodër ishte një tjetër bunker që mbante antenën e tij televizive dhe strehonte derrat e tij”, përfundon Hackman për BBC./ /sm/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.