TIRANË, 2 shkurt/ATSH/- Irfan Aliaj, 75 vjeç , banues në Durrës përfitoi pensionin e plotë me gjithë diferencën e viteve të llogaritura gabim, falë platformës të bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.
Kryeministri Edi Rama uroi mirëmëngjes me rastin e Aliaj, i cili mori zgjidhje brenda 12 ditëve për problemin që kishte.
“Mirëmëngjes dhe me Anjezën që ju tregon një arsye më shumë pse sot, cilido prej jush që ka një hall a një problem për të zgjidhur me shtetin, nuk është më vetëm po me qeverinë në krah sapo drejtohet tek shqiperiaqeduam.al, ju uroj një fundjavë të qetë”, thekson Rama.
Aliaj shprehet se “babai më ka shkëputur nga shkolla në klasë të pestë, kam bërë punë nga më të ndryshmet, tre orë në këmbë shkoja në punë. Më vonë u sistemova brigadier, deri në ’87 isha në kooperativë dhe i binin 43 vjet punë. Kur shkova në Skrapar për të bërë përllogaritjen ai më tha se do të marrësh minimalen”.
“Duke biseduar me shokët dëgjova që një pjesë nga ata iu drejtuan platformës. Bisedova në familje dhe mbesa dhe më tha që kemi bërë disa ankesa dha na ka dhënë rezultat”, tha Aliaj.
“Jam Irfan Aliaj, 75 vjeç , banues në Durrës, në vitin 2006 kam dalë në pension në moshën 62 vjeç. Kam 42 vjet punë me gjithë siguracionet që i kam mbyllur, por nuk është marrë parasysh e gjithë vjetërsia ime e punës, më është llogaritur vetëm 35 vjet punë duke më hequr 3 vite punë me pretendimin se kam qenë në Durrës dhe nuk më njihen vitet që kam paguar privatisht në Skrapar. Sot marr pension 17.120 lekë me të gjitha kompensimet. Kërkoj që të rishikohen dokumentet e mia që unë të përfitoj diferencën e viteve të humbura”, thuhej në ankesën që Aliaj i drejtoi platformës së bashkëqeverisjes.
Aliaj thekson se “më erdhi përgjigja pas 12 ditëve dhe jam shumë i kënaqur për këtë nder që më bënë”.
“Po shikojmë gjëra të mira që po bëhen. Kam një djalë që merrej me lloto, me mbylljen e tyre Kryeministri ka bërë një gjë shumë të madhe”.
Pas ankesës Aliaj mori 69.608 lekë diferencën e viteve të llogaritura gabim./k.s/ /a.g/











