Ballina Flash

Rritet besimi i komunitetit tek Policia, arrestohet 24-vjeçari pas denoncimit

TIRANË, 29 janar/ATSH/ – Vijon të rritet ndërgjegjësimi dhe besimi i komunitetit tek Policia, për të denoncuar rastet e paligjshmërisë.

Pas denoncimit nga qytetarët, policia ka arrestuar 24-vjeçarin i cili drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe kishte thyer urdhrin e gjykatës “Arrest shtëpie”.

Njësia Operacionale e Sigurisë Rrugore pas sinjalizimit nga qytetarët, në aksin rrugor “Kopshti Botanik – Rrethrrotullimi i TEG-ut” ka konstatuar një drejtues mjeti, i cili po qarkullonte në mënyrë jonormale dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.

Shenjës së patrullës për të ndaluar, drejtuesi nuk i është bindur dhe patrulla është vënë në ndjekje të tij. Në mes të ndjekjes drejtuesi e ka braktisur mjetin, por është kapur nga punonjësit e Njësisë Operacionale në tentativë për t’u larguar.

Drejtuesi i mjetit shtetasi D. Sh., rezultoi i papajisur me leje drejtimi, pa vendosur rripin e sigurimit, si dhe nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se për këtë drejtues mjeti, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale të “Kanosjes me armë”.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për besimin dhe fton këdo të denoncojë falas në numrin 112, në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, ose përmes rrjeteve sociale në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, çdo rast të paligjshmërisë. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKINË – ”Huawei” hedh poshtë ”e zhgënjyer” akuzat amerikane
Artikulli tjetërMJEDIS – Kultivimi i palmës për vaj rritet në dëm të pyjeve