TIRANË, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ Shqipëria do të bashkëpunojë me FRONTEX për menaxhimin e flukseve migratore.
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes statusore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Europian në Republikën e Shqipërisë”.
Duke raportuar në këtë komision, zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda u shpreh se marrëveshja fokusohet në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe ngre në një stad më të lartë, bashkëpunimin e strukturave të kufirit dhe emigracionit me Rojën Bregdetare dhe të Kufirit Europian.
Voda theksoi fakti se prej 10 vitesh nga një bashkëpunim të shkëlqyer me këtë strukturë, ndërsa u shpreh se “marrëveshja synon rritjen e bashkëpunimit operacional të vendit tonë me vendet e BE-së, në kuadër të menaxhimit të kufirit dhe kundër emigracionit të paligjshëm”.
Po ashtu, sipas Vodës, “marrëveshja parashikon pjesëmarrjen në operacione të përbashkëta, shkëmbime informacionesh dhe ndërveprime për operacionet e kthimit të emigrantëve të paligjshëm”.
Marrëveshja, tha Voda, “është shumë e rëndësishme në kuadër edhe të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, pasi ka qenë një nga detyrat kryesore në strategjinë e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
“Shqipëria është ndër vendet e para që e ka finalizuar këtë marrëveshje. Kjo nuk është një marrëveshje specifike e bërë posaçërisht për Shqipërinë, pasi në linja të përgjithshme është e njëjta marrëveshje që kanë edhe vendet e BE-së, pra është ruajtur i njëjti standard”, tha Voda.
Ndërkohë zv.ministrja u shpreh se “jemi munduar ta kufizojmë disi veprimin e partnerëve të huaj dhe kemi bërë analogji edhe me ligje të tjera”. “Kështu çdo veprim i tyre do të bëhet me pëlqimin e palës shqiptare dhe në praninë e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit. Pa pëlqimin e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit dhe pa një plan pune të përbashkët nuk ka shanse të kryhen veprime operacionale apo të përdoren armët. Ne jemi e jemi zotër të këtyre operacioneve që do të ndihmojnë përballimin e flukseve migratore”, tha ajo.
Voda solli si shembull edhe rastin e Maqedonisë së Veriut, ku aktualisht ka 164 forca të huaja policore për të menaxhuar flukset migratore me shtetin fqinj grek. “Ne i kemi menaxhuar flukset migratore shumë mirë, por duke pasur parasysh krizën edhe në vendet e Lindjes së Mesme, nuk kemi pse të gjendemi të papërgatitur për përballimin e kësaj situate”, tha Voda. /j.p/














