Ballina Flash

Ambasada gjermane i dhuron AIDSSH-së pajisje për mbledhjen e dëshmive

TIRANË, 29 janar /ATSH – I. Vata/ – Ambasada gjermane në Tiranë i dhuroi Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit pajisje për mbledhjen e dëshmive gojore të të mbijetuarve të regjimit komunist.

Me këtë rast, AIDSSH zhvilloi sot një ceremoni miqësore ku e pranishme ishte dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz.

Ambasadorja Schutz mbajti fjalën e rastit për vijimin e projektit të mbledhjes së rrëfimeve të viktimave dhe të mbijetuarve të krimeve të së kaluarës komuniste në Shqipëri.

Ambasadorja i dorëzoi sot Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kamera, mikrofona dhe kompjutera me vlerë 37.000 euro. Dy vitet e ardhshme, pajisjet do të përdoren për të regjistruar zërin e dëshmitarëve të regjimit komunist në mbarë vendin, për t’i publikuar më pas në një faqe interneti “Oral History” në mediet sociale dhe në botime të tjera.

“Një shtyllë e rëndësishme e trajtimit të historisë tonë ishte dhe është pikërisht forcimi i kulturës së kujtesës, mbi të gjitha nëpërmjet deklaratave të dëshmitarëve të asaj kohe. Viktimat e diktaturës kanë të drejtë të kujtohen. Ne e dimë shumë mirë nga eksperienca jonë si gjermanë, se ky nuk është një proces i lehtë. Unë do të doja të falënderoj të gjithë ata që janë të angazhuar për të çuar përpara këtë dialog në Shqipëri edhe nëse hap të vërtetat të dhimbshme”, u shpreh ambasadorja Schütz.

Një vit më parë Qeveria Federale e Gjermanisë i vuri në dispozicion Autoritetit të Dosjeve skaner dhe lexues mikrofilmash për dixhitalizimin dhe arkivimin e dosjeve të Sigurimit.

Nga ana e saj, kryetare e AIDSSH, Gentiana Sula, foli për platformën e dëshmive gojore, zërat dhe fytyrat e viktimave të të përndjekurve politikë; rezultatet e arritura deri tani, synojnë promovimin e vlerave demokratike të drejtësisë së vërtetë dhe pajtimit.

Në mbyllje u demonstrua procesi i mbledhjes së dëshmive gojore, platforma e dëshmive “Edhe Muret Kanë Veshë” dhe arkivi digjital i dëshmive të regjistruara përgjatë 2018-ës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFoto/ Presidenti i “EUROSIG”, Kadri Morina nderohet në Paris me çmimin “The Best”
Artikulli tjetërMETEO – Një valë i ftohti polar pushton veriun e SHBA-së