ATHINË – Cipras: 2019-a vit historik për Greqinë

ATHINË, 28 janar /ATSH-MIA/ – Kryeministri grek, Aleksis Cipras në një intervistë për edicionin grek të “Ekonomist – Bota në vitin 2019”, shkruan për sfidat dhe planet e Greqisë për këtë vit dhe për “qeverinë progresive, që arriti ta nxirrte vendin nga memorandumet, të siguronte stabilitet financiar, t’i korrigjonte padrejtësitë dhe të përballej me krizën ballkanike me humanizëm dhe solidaritet”.

“Kohë më parë, iu dha fund mosmarrëveshjes pothuajse 30-vjeçare me fqinjët tanë veriorë, e cila për një kohë të gjatë është ushqyer nga nacionalizmi dhe të djathtat radikale nga të dyja anët e kufirit. Në këtë mënyrë, Greqia kthen pozitën udhëheqëse në Ballkan, jo në kuptim të imponimit, por si fuqi e cila është protagoniste në bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët të vendeve të rajonit, kundrejt të gjithë atyre të cilët për interesat e tyre personale dëshirojnë që Ballkani të mbetet fuçia e barutit në Europë”, shkruan Cipras.

Për vitin 2019, kryeministri grek thotë se Greqia hyn në një epokë të re, “për herë të parë pas një dekade, nevojat financiare të vendit janë siguruara për periudhën e ardhshme, ndërsa është regjistruar edhe rekord i investimeve të huaja”.

“Jam i bindur se viti 2019 do të jetë vit historik, jo vetëm sepse e simbolizon fundin e krizës, por pasi që do të thotë fillim për një Greqi të re, Greqi të njerëzve të saj, Greqi të shumicës”, shkruan kryeministri grek./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.