Kreditë e buta, Ruseti për ATSH: Përfitues mbi 1 mijë familje

TIRANË, 26 janar/ATSH Z. Tosku/Qytetarët që kanë aplikuar për kredi të butë në Bashkinë e Tiranës dhe që janë shpallur fitues, kanë kohë deri në fund të prillit për të plotësuar kushtet për financimin e banesës.

Drejtoresha e Strehimit dhe Monitorimit pranë bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se është miratuar lista e fituesve, ku prioritet sikurse ishte përcaktuar që në nisje të programit social, i është dhënë çifteve të reja, nënave kryefamiljare si dhe personave me aftësi të kufizuar.

“Ne kemi miratuar listën e fituesve prej 1100 familjeve. Tashmë i janë drejtuar bankës së nivelit të dytë. Ata kanë njoftuar të gjitha familjet mbi kushtet që do të duhen të aplikojnë tashmë për të përfituar nga kredia e butë, dhënë nga bashkia e Tiranës. Nga ky program ne do të kemi në total 1 mijë familje dhe sikundër kemi njoftuar edhe më parë, prioritet kanë çiftet e reja, nënat kryefamiljare dhe pas kategori të tjera siç janë personat me aftësi të kufizuar apo ata që vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian”, theksoi ajo.

Ruseti shpjegoi  për ATSH se me anë të vendimit të Këshillit Bashkiak, janë njoftuar familjet fituese për t’u paraqitur pranë bankave të nivelit të dytë, për të mbyllur procedurat e fazës së fundit. Nëse, për një arsye apo një tjetër një familje refuzon që të vazhdojnë këtë proces, atëherë këtë mundësi e shfrytëzon një tjetër familje.

“Me anë të vendimit të Këshillit Bashkiak ne kemi njoftuar të gjitha familjet të cilat do të duhet të paraqiten tek bankat e nivelit të dytë deri në fund të prillit 2019.  Nëse ata refuzojnë të paraqiten pranë bankës apo për një arsye nuk do duan ta vazhdojnë  këtë proces, deri në fund të prillit e kanë këtë mundësi. Më pas e humbasin të drejtën duke ia lënë aplikimin një  familje tjetër”, tha ndër të tjera për ATSH drejtoresha e Strehimit.

Por, cilat janë disa nga arsyet që të bëjë një familje të humbasë të drejtën e marrjes së kredisë së butë në fund të procesit?

Ruseti jep disa nga rastet kur nuk plotësohen kushtet. “Ata që nuk plotësojnë kushtet mund të jenë rastet kur ata nuk arrijnë dot të gjejnë një banesë me hipotekë, kur nuk kanë një kolateral të justifikueshëm për ta vendosur për këtë kredi ose kur për një arsye apo një tjetër kanë pasur një kredi tjetër në një bankë të nivelit të dytë dhe kjo e bën të pamundur plotësimin e vlerës së këstit që duhet të paguajnë për marrjen e shtëpisë”, përfundoi ajo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.