Flasin pedagogët grevistë

TIRANË, 21 janar/ATSH/- Pedagogët e Fakultetit Histori-Filologji zhvilluan sot një grevë njëditore, ndërsa kërkojnë plotësimin e disa kërkesave.

Pedagogu i departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Mark Marku, u shpreh se “është mbledhur asambleja e pedagogëve që japin mësim në fakultet, e cila pasi ka diskutuar për gjendjen dhe Ligjin e Arsimit të Lartë, për Vendimet e Këshillit të Ministrave dhe për marrëdhënien që është krijuar në universitete mes qeverisë dhe studentëve ka vendosur të shpallë grevë njëditore”.

Sipas tij, asambleja kërkon aborgimin qoftë të ligjit dhe të VKM, sepse praktikisht janë në kundërshtim me të gjitha konventat europiane.

“Është pjesë thelbësore e autonomisë universitare, pavarësia në kërkimin shkencor, pavarësia në vlerësimin e punës shkencore në universitet, pavarësia në hartimin e statusit dhe miratimit të tyre në universitet, si dhe pavarësia në përmbajtjen e mësimdhënies”, nënvizoi Marku duke shtuar se VKM-të i cënojnë të trija këto.

Ndërsa zëvendësdekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Agron Gjekmarkaj theksoi se “pas një vendimi unanim të marrë nga asambleja të premten për të shprehur indinjatën tonë të përsëritur dhe thirrjen tonë për arsye që i drejtohet qeverisë për të rrëzuar Ligjin e Arsimit të Lartë, jo pse duam ne për për të plotësuar një tekë, por për ti bërë një shërbim universitetit publik në Shqipëri”.

Ai shtoi se kërkesat i janë drejtuar qeverisë, jo trupës akademike, ne jemi thjesht solidarë me studentët në këtë çështje.

Po ashtu Gjekmarkaj bëri të ditur se “Universiteti i Tiranës do i drejtohet Gjykatës Administratave për të rrëzuar VKM-të, sepse cënohet autonomia”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.