Teknologjia transformon pagesat ndërkufitare

TIRANË, 17 janar /ATSH/- Industria e pagesave përballet me fluks të lartë pagesash në shumë fronte njëherësh.

Ekspertët bankarë shpjegojnë se përmes teknologjisë SWIFT gpi, po minimizohen pikat e dobëta dhe sfidat që lidhen me pagesat ndërkufitare, duke adresuar nevojat e bankave
dhe të klientëve koorporatë.

Bankat anëtare të SWIFT-it gpi angazhohen të ndjekin një grup rregullash biznesi të
dakordësuara, respektimi i të cilave është si në përfitim të bankave, ashtu dhe të klientëve të tyre korporatë.

Deri në fund të gushtit 2018, më shumë se 200 institucione financiare (duke përfshirë 49 nga 50 bankat më të mëdha në SWIFT) janë angazhuar për zbatimin e SWIFT gpi, nëpërmjet së cilës klientëve u ofrohet një shërbim më i shpejtë, transparencë lidhur me
komisionet dhe ndjekje të pagesave deri në pikën fundore, e ngjashme kjo me shoqëritë ndërkombëtare të transportit të pakove.

Rreth 72 banka tashmë e kanë aktiv gpi-në, e më shumë se 140 banka janë në fazën e zbatimit, ndërkohë që më shumë se 55 infrastruktura të tregut të pagesave po shkëmbejnë tashmë pagesa gpi.

Sipas informacioneve bankare, cdo ditë dërgohen më shumë se 100 miliardë dollarë mesazhe SWIFT gpi, në mbi 120 monedha, në më shumë se 600 korridore të vendeve të ndryshme.
Pagesat SWIFT gpi janë të shpejta, ku pothuaj gjysma e shumës kreditohet në llogarinë e përfituesit në më pak se 30 minuta, e në shumë raste, brenda disa sekondave. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.