TIRANË, 14 janar/ATSH/-Të rinjtë që kanë mbaruar studimet e larta në nivelin Bachelor, Master Profesional ose Master Shkencor të grupmoshës deri në 28 vjeç, patën mundësi që ta nisin karrierën e tyre me një eksperiencë pune tremujore në bashkinë e Tiranës.
Projekti “Fillo me një ide – Fito një intership” synon që të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre analitike dhe kërkimore përmes konkurrimit me një projekt-ide ose studim në një nga fushat e veprimtarisë të Bashkisë së Tiranës. Në ceremoninë e certifikimit të 16 të rinjve në përfundim të intership-it, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se shumë prej ideve të propozuara nga ata do të zbatohen në terren.
Aplikantët kishin mundësi të përgatisnin dhe të dorëzonin një propozim të plotë teknik dhe financiar të projektit, si dhe të përfundonin studimin gjatë intershipit, duke bashkëpunuar nga afër me stafin e bashkisë.
Në përfundim të intershipit, 5 prej projekteve dhe studimeve do të zbatohen nga drejtoritë përkatëse, ndërsa disa aplikantë janë në proces konkurrimi për t’u bërë pjesë e stafit të Bashkisë së Tiranës. Thirrja për intershipet e reja në bashkinë e Tiranës do të hapet sërish pas dy muajsh.
Programi i intershipit synon të përzgjedhë një numër të caktuar projektidesh dhe studimesh që do të përfshihen në planet vjetore të njësive organizative dhe do të zbatohen prej tyre. z.tosku/ /a.g/























