Ballina Flash

Maas: Dialog konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë

PRISHTINË, 10 janar /ATSH/ -“Berlini dëshiron që Serbia dhe Kosova të kenë një dialog konstruktiv”, tha ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, në takim me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Mass theksoi se dialogu ndërmjet autoriteteve serbe dhe të Kosovës, si dhe normalizimi i marrëdhënieve janë parakushtet për Beogradin dhe Prishtinën që t’i afrohen Bashkimit Europian.

“Ne duam një dialog konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve është një supozim kyç se diskutimi mbi afrimin e tyre drejt BE-së do të shkojë në drejtimin e duhur”, tha diplomati gjerman.

Sipas ministrit gjerman, Berlini mbështet perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në të njëjtën kohë, Maas i kërkoi autoriteteve të Kosovës të bëjnë më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zv/kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, kërkoi më shumë prani të Gjermanisë përmes ekonomisë dhe investitorëve të saj në vendin tonë.

Ai tha se prania e Kosovës përmes rreth 400.000 qytetarëve të saj në Gjermani dhe kontributi i Gjermanisë në ndërtimin e paqes për 20 vjet me radhë nga Bundeswehr-i dhe tani angazhimit nëpërmjet GIZ-it dhe Kampit për Inovacion në Prizren vetëm sa thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve tona.

Ministri Maas tha se do të përkrahë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, por edhe në përshpejtimin e procedurës së njohjes së patentë-shoferëve në mes dy vendeve.

/KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Rrugët e hapura në qarkun e Gjirokastrës
Artikulli tjetërFoto/ Mot i keq, Shërbimi Social në mbështetje të familjeve në nevojë