TIRANË, 9 janar/ATSH-E.Caushi/ – Temperaturat e ulëta, reshjet e borës si dhe ngricat, nuk kanë penguar aspak ekipet e Postës Shqiptare, për të kryer detyrën e tyre, duke dërguar porositë në të gjithë vendin. Përmes një njoftimi, Posta Shqiptare bën me dije se ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatës nga i ftohti, duke shpërndarë normalisht pakot, ofrimin e shërbimeve në zyrat postare, si dhe shpërndarjen e pensioneve.
“Në këto ditë të ftohta janari, ku bora ka mbuluar disa qytete të Shqipërisë dhe temperaturat janë mjaft të ulëta, Posta Shqiptare ka marrë të gjitha masat paraprake për përballimin e situatës. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se Posta Shqiptare vazhdon normalisht shpërndarjen e pakove, shërbimin në zyrat postare dhe të pensioneve. Në këto momente jemi më krenar se kurrë për kolegët tanë kudo në Shqipëri”, theksohet në njoftimin e Postës Shqiptare.



































