TIRANË, 8 janar/ATSH/ Mbi 1 mijë banorë të Patosit do të jenë përfitues direkt të ndërhyrjes për transformimin e arteries kryesore rrugore të qytetit, që do të mundësojë gjithashtu dhe shpërndarjen e trafikut të rrugës kryesore.
Në një prononcim për ATSH-në, kryetarja e bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj u ndal te detajet e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor.
Projekti i financuar me fonde të bashkisë Patos në vlerën 72 milionë lekë me TVSH, sipas Balilaj, do të zbatohet përgjatë 8 muajve dhe do të mundësojë një dimension të ri të zhvillimit urban të qytetit, ku do të integrohen jo vetëm banorët, por edhe bizneset dhe institucionet lokale.
Kjo, tha Balilaj, është një nga arteriet kryesore të qytetit të Patosit, rruga “Koli Marku” e cila përshkon lagjen “1 Maj” dhe lagjen “Naftëtari” dhe ku ka nisur rrugën transformimi i plotë.
Faza e parë, sipas saj, ka nisur me lirimin e hapësirave publike, të cilat ishin kthyer në një gangrenë infrastrukturore për zonën.
“Projekti parashikon trotuar dekorativ, ndriçim Led, lulishte në sheshet e pallateve, kënde lojërash në sheshet e pallateve, mure mbajtëse, ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve dhe rivitalizim të gjithë segmentit”, tha Balilaj.
Ndërhyrja totale prej 11.200 m2, parashikon shtrimin e rrugës në 670 m gjatësi dhe 9-13 m gjerësi./m.m/j.p/






















