TIRANË, 4 Janar /ATSH/ – Sfida e ardhshme e qeverisë është vala e dytë e reformave, jo vetëm për të mbajtur ritmin e zhvillimit, por për ta përshpejtuar atë.
Ministri në detyrë i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në një bashkëbisedim me gazetarët shprehu bindjen se ritmi i zhvillimit do të përshpejtohet.
Duke përmendur disa nga arritjet në fushën e financave në 2018-ën ai theksoi se ka një sërë uljesh ngarkese fiskale në ekonominë shqiptare.
“Gjatë vitit 2018 kadastra fiskale hyri në fuqi në prill. U miratua ligji për strehimin social. Shumë shpejt do të firmos këstin e radhës për të përndjekurit. Rritja e pagës minimale. Reforma e kualifikimeve. U miratuan 2 paketa të rëndësishme fiskale, 2 akte normative dhe buxheti 2019”, – tha Ahmetaj.
Sa i përket Eurobondit, ministri theksoi se, në krahasim me borxhet mëparshme Shqipëria arriti të përfitojë përqindje më të ulët.
Duke e krahasuar me rajonin, Ahmetaj tha se, Shqipëria vlerësohet me B dhe megjithëse me një vlerësim më të ulët, kemi arritur rezultat të njëjtë apo më të mirë se vendet e tjera.
Ndërsa për taksën e pronës, Ahmetaj u shpreh se ka qenë projekt i rëndësishëm në favor të qytetarëve dhe pushtetit vendor. Që nga 1 janari metodologjia e re është e konsoliduar në të gjitha njësitë vendore.
Ahmetaj tha se, u mundësua ulja e TVSH për një sërë shërbimesh apo mallrash duke përfshirë dhe inputet bujqësore
Sa i përket qasjes sociale, Ahmetaj tha se, “97% e të punësuarve përfituan 14.6 miliardë lekë. Për shkak të taksës progresive në xhepat e shqiptarëve janë më shumë se 146 mln dollarë. Mazhoranca e majtë e takon punën me një mesatare 5.5%”.
Gjithashtu Ahmetaj renditi edhe uljen e taksave për biznesin e vogël. “Sot janë 91% e bizneseve që paguajnë ose zero ose 5%”, u shpreh ai.
/gj.mima/e.caushi/























