Ballina Flash

9.1% rritje page për edukatorët

TIRANË, 2 janar/ATSH/-Për vitin 2019, fondet për pagat e edukatorëve do të rriten me 9.1% në krahasim me vitin 2018.

Në buxhetin vendor të këtij viti, në vijim të reformës administrativo-territoriale dhe decentralizimit, vend të rëndësishëm zë reforma e financimit të arsimit parashkollor.

Në ndryshim nga sistemi i mëparshëm, ku fondet ndaheshin sipas numrit të edukatorëve, konform praktikave të mira ndërkombëtare, financimi i këtij funksioni për këtë vit, do të bazohet kryesisht në numrin e nxënësve (fëmijë 3-6 vjeç), si një kriter më objektiv për përcaktimin e nevojave për shpenzime.

Si rrjedhojë e kësaj reforme, do të punësohen 438 edukatore më shumë se sa në vitin 2018, të cilët do të shkojnë në 32 bashki të cilat kanë një nevojë më të madhe për shtimin e edukatorëve, e matur nga raporti “fëmijë për edukatore”.

Kjo reformë do ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e madhësisë mesatare maksimale të grupeve në kopshte nga 26 në 18 nxënës për edukatore, dhe madhësisë mesatare kombëtare nga 18 në 15 nxënës për edukatore, duke krijuar kështu parakushtet për një sistem më efikas.

Fondet e pagave për edukatoret do të ndahen kryesisht mbi bazën e numrit të fëmijëve. Më specifikisht, 60% e fondeve për pagat e edukatoreve do të ndahen mbi bazën e numrit të fëmijëve (me moshë 3-6 vjeç) dhe 40% mbi bazën e numrit të edukatoreve. z.tosku/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakParashikimi i motit, 2 janar 2019
Artikulli tjetërUlet në 8% tatimi mbi dividendin, impakt në rritjen e investimeve