TIRANË, 28 janar/ATSH/- Besa Shahini do të jetë ministrja e re e Arsimit, Rinisë dhe Sportit që do të zëvendësojë Lindita Nikollën.
Kryeministri Rama, në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare e Partisë Socialiste, shprehu mirënjohjen ndaj punës së Lindita Nikollës në krye të kësaj ministrie. Ai tha se reforma në arsim është një nga reformat me të thella për tranformimin e Arsimit, meritat e të cilës ai ia atribuoi edhe Lindita Nikollës. Po ashtu ai vlerësoi edhe arritjet për punësimin e mësuesve sipas meritës.
“Deri dje fëmijët e këtij vendi futeshin në një xhungël librash që ishin ç’edukues, dizinformues, libra mashtrues. 600 tekste apo altertekstet e famshme. Sot kemi hyrë në ciklin e tranformimit rrënjësor për fëmijët e Shqipërisë që studiojnë sot me librat e Oksfordit, Kembrixhit”, – tha ndër të tjera Rama.
Besa Shahini është zv/ministrja aktuale e Arsimit. “Ka një karrierë akademike që besoj se flet vetë për të dhe ka të gjithë kapacitetin për të marrë stafetën dhe për ta çuar përpara, dhe për të rritur efikasitetin e punës në Ministrinë e Arsimit”, – tha Kryeministri Rama. /j.p/























