TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ – Lëvizja Kombëtare e Leximit edhe në këto ditë festash nuk e ndal ‘udhëtimin e saj’ ku këtë herë shkoi drejt të rinjve të Rrëshenit. Takimi i librit këtë radhë ishte në bibliotekën e qytetit, ku të rinjtë shfaqën një interes të lartë për të lexuar dhe për të qenë sa më afër librit.
Fondit të bibliotekës së kësaj shkolle iu shtuan të tjerë libra dhuruar nga Ministria e Kulturës dhe donatorë të tjerë.
E pranishme në këtë takim të të rinjve të Rrëshenit me librin ishte dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e cila u shpreh se, ”unë besoj fort te Edukimi me Librin dhe shkëlqimi që pashë në sytë e fëmijëve në Rrëshen tek u gëzoheshin librave të rinj që dhuruam në bibliotekën e qytetit më jep besim se kjo betejë ia vlen të bëhet çdo ditë se çdo ditë do të jemi më shumë”.
“Lexues ka dhe jashtë kryeqytetit, ka lexues të apasionuar të cilët do bëhen lexues të përhershëm në të ardhmen”, tha ajo.
Bibliotekat publike dhe ato të shkollave marrin një rëndësi të madhe veçanërisht në qytetet periferike, ku edhe mundësitë financiare të prindërve për të blerë libra janë më të zbehta. /a.a/j.p/























