TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ – Duke marrë shkas nga kërkesa numër 7 e studentëve të cilët kërkojnë biblioteka dixhitale në gjuhën shqip, Kryeministri Edi Rama njoftoi se shumë shpejt do të ofrohen kurse të gjuhës angleze në çdo universitet pa pagesë.
“Brenda një afati të mesëm studentët duhet të përgatiten lidhur me një vendim që do të marrim për gjuhën angleze”, – tha Rama.
“Kjo do të vijë më vonë, por e kemi thënë edhe më parë dhe po punojmë që t’u ofrojmë të gjithëve kurse anglishteje falas, në çdo universitet pa pagesë. Dhe anglishtja më herët se vonë do të hyjë te kushtet për të marrë mbështetje nga shteti. Nuk jemi duke shkuar drejt vitit 1945, por drejt vitit 2045”, theksoi Kreu i Qeverisë.
Kryeministri nënvizoi se gjuha angleze do të jetë parësore për studentët, për të ardhmen e tyre profesionale.
“Anglishtja do të jetë një nga kushtet që të përcaktojë shumë gjëra lidhur me marrëdhënien e studentëve, me shtetin, me universitetin, me diplomën, sepse nuk mundet dot që të përjashtojmë gjuhët e huaja nga formimi universitar, dhe të bëjmë protesta për të kërkuar biblioteka shqip on-line shkencore”, tha Kreu i Qeverisë. /o.l/j.p/





















