Foto/ Këshilli bashkiak miraton buxhetin e vitit 2019-të për Elbasanin

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/- Këshilli bashkiak i Elbasanit miratoi buxhetin e 2019 të bashkisë së Elbasanit me shumicë votash.

Në mbledhjen e zhvilluar, kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini ndërsa prezantoi para këshilltarëve buxhetin, tha se “Elbasani u rrit 110 herë për nga sipërfaqja dhe ju bashkuan 12 njësi administrative, disa nga të cilat nuk kishin asnjë infrastrukturë”.

Buxheti i vitit 2019 është 2.7 miliardë lekë dhe krahasuar me 2018 është 11% më i lartë se buxheti i një vitit më parë. Për vitin 2019, bashkia e Elbasanit ka parashikuar një draftbuxhet prej 2.7 miliardë lekësh, i cili nëse përpjestohet me numrin e banorëve në bashkinë Elbasan, çdo banor do të marrë shërbime dhe produkte bashkiake në vlerë rreth 15 mijë lekë të reja, ndërkohë që paguan vetëm 2400 lekë të reja në vit, pra bashkia subvencionin nga bashkia në masën 80%.

Sipas Sejdinit, ky draftbuxhet përpiqet të akomodojë interes të të gjitha banorëve në mënyrën më të mirë financiare për t’u adresuar, por sipas tij, fakti theksi kryesor ka qenë të jemi një bashki sociale, e cila punon për lehtësimin e gjendjes së të varfërve në ofrimin e shërbimeve bazë për ta dhe duke mbajtur nivelin më të ulët të taksave dhe tarifave.

Në total shpenzimet kapitale, pra investimet e bashkisë janë rreth 200 milionë lekë më shumë se 2018. Nga ky total rreth 40% i zë program i infrastrukturës rrugore, 14% i zë programi i shërbimeve publike. Sipas bashkisë së Elbasanit, nëse krahasojmë disa programe me vitin 2018, programi ujësjellës kanalizime ka rritje me 74%, shërbimet publike rritje 37%, arsimi parashkollor rritje me 13 %, rinia e sporti rritje me 15%.

Kryetari i bashkisë, Sejdini vlerësoi këshillin bashkiak të Elbasanit i cili gjithmonë ka demonstruar kurajo politike dhe ka marrë vendime të vështira.

“Gjithmonë është nder për dikë të shërbejë për dikë tjetër e sidomos për ne që jemi në shërbim të qytetit, çdo buxhet e shifër që ne së bashku kemi vendosur ka qenë privilegj i jetës sonë për të ardhmen e qytetit”, – tha Sejdini në mbyllje të fjalës së tij.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.