TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ – Në këtë prag festash Voskopoja ruan potencialin e saj turistik. Fshati, i cili ka të ndërthurur vlerat historike, kulturore dhe bukuritë natyrore, tërheq vizitorët të shumtë vendas dhe të huaj.
Gjatë kësaj fundjave grupime të ndryshme, familjare, shoqërore, por edhe individualisht, kanë zgjedhur të vizitojnë fshatin malor për klimën e shëndetshme dhe vlerat e tij historiko-kulturore.
Kjo perlë i tërheq turistët e huaj, ku përveç atyre që ndalen për pak, ka nga ata që kalojnë ditët e tyre të pushimeve në klimë malore.
Përveç të huajve, fshatit nuk i mungojnë as pushuesit nga kryeqyteti apo qyteteve të tjera të Shqipërisë, gjithashtu të pandarë janë qytetarët e Korçës.
Voskopoja mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e Kulturës Ballkanike dhe Europiane. /a.a/























