TIRANË, 22 Dhjetor/ATSH/- Ina Nuka, punonjësja e Policisë e cila mbeti e plagosur nga një kapsollë gjatë protestës më 22 Nëntor para Parlamentit, rreth orës 21:30 ka mbërritur në Rinas, pasi ishte për trajtim mjekësor të specializuar në Ankara të Turqisë.
Në Rinas, Ina Nuka u prit nga Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Gjovalin Loka, Zv/drejtori për Rendin në DVP Tiranë Dhimitraq Ziu, drejtues të tjerë të lartë të Policisë, kolegë, miq e të afërm.
“Jam shumë mirë. Sipas mjekëve si aplikimi i parë operacioni ka dalë me sukses”, tha Ina përpara gazetarëve.
“Në fillim kisha vështirësi. Dhimbjet ishin mjaft të mëdha, por ia dola. Falënderoj të gjithë, kryeministrin Edi Rama, mjekët në Turqi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ministrin e Brendshëm, kushdo që ka bërë të mundur që të vazhdoja kurimin në Turqi. Falënderim i veçantë për mjekët e spitalit në Ankara, të cilët kryen tre operacione për të rikuperuar dëmtimin e madh të gishtave të dorës, si dhe qeverinë turke dhe ambasadorin e Shqipërisë në Turqi”, u shpreh Ina.
E pyetur nëse do të tërhiqet nga policia, Nuka tha se “kjo është e pamundur. Unë jam shumë privuar nga shumë gjëra të tjera për të qenë në polici. Kjo s’më pengon aspak, madje më jep më tepër forcë”.
“Unë jam punonjëse Policie, isha duke bërë detyrën dhe zbatuar ligjin, s’kam asnjë mëri personale me askënd, për cilindo që shkel ligjin, të veprojë ligji. Dua të përcjell një mesazh, të mos reflektojmë dhunë, të mbrojmë jetën e ta duam më shumë atë”.
Ina Nuka, efektivja 26-vjeçare, e cila u plagos gjatë protestës për ndërtimin e Unazës së Madhe, me anë të një avio-ambulance të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë u dërgua disa ditë më parë në Turqi ku mori për trajtim të specializuar mjekësor në Spitalin e Trajnimit dhe Kërkimit pranë Universitetit të Shkencave të Mjekësisë në Ankara.

Policja Ina Nuka u prit sot në zyrë edhe nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ky i fundit theksoi se Ina është rikthyer plot forcë, energji dhe vullnet për të vazhduar shërbimin ndaj sigurisë tonë.
“Një model domethënës angazhimi për rininë e vendit tonë”, theksoi ai. /k.s/ /a.g/






















