Ballina Flash

Rikthehet në Korçë figura e sopranos Tefta Tashko Koço

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ – Rikthehet në Korçë figura e sopranos Tefta Tashko Koço, “Artiste e Popullit”. 6 këngë të panjohura, regjistruar në Milano në vitin 1942 me shoqërinë diskografike “Columbia”, do të transmetohen nga gramafoni për herë të parë në një aktivitet përkujtimor kushtuar sopranos.

Në 71-vjetorin e vdekjes së saj, pjesë e aktivitetit do jenë edhe disqe të tjera të regjistruara nga artistja si edhe materiale fotografike dhe dokumentarë.

Ky thesar i çmuar për qytetarët e Korçës vjen më datë 23 dhjetor, ora 12:00 tek Muzeu Kombëtar i Arsimit.

Krijimtaria e artistes Tefta Tashko Koço

Tefta Tashko Koço (2 nëntor 1910 – Tiranë 30 dhjetor 1947) një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik.

Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare.

Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.

Ndër to përmendim “Zare trëndafile”, “Të dua, moj goc’ e vogël”, “Bilbil çapkëni”, “Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”, “As aman, moj lule”, etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore janë edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. /a.a/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ “Zahiretë” e Vladimir Myrtezait takim mes librit, trashëgimisë kulturore dhe lexuesve
Artikulli tjetërFestat e fundvitit, aktivitete në “Qytetin e Fëmijëve” në Korçë