FOTO/ “Zahiretë” e Vladimir Myrtezait takim mes librit, trashëgimisë kulturore dhe lexuesve

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ – Ambientet e Torrës Veneciane të Durrësit u shndërruan në një vendtakim mes librit, trashëgimisë kulturore dhe lexuesve. Libri “Zahiretë” i artistit multimedial Vladimir Myrtezai, erdhi si një shprehje artistike që plotëson veprën e artistit në artet pamore dhe njëkohësisht përmbush përgjegjësinë e tij si artist i angazhuar përballë audiencës.

Takimi u zhvillua si një bashkëbisedim i lirë më autorin Vladimir Myrtezai, artistin dhe pedagogun e Universitetit të Arteve, Edison Ceraj dhe një grupi artistësh e artdashësish të qytetit të Durrësit.

Përmes prezantimit të profilit artistik të autorit dhe përmbajtjes së librit, u fol edhe për të tjera tema që shqetësojnë dhe prekin shoqërinë e sotme. Roli i librit dhe i vetë angazhimit akademik të autorit në procesin e edukimit mbi dhe përmes artit zunë një vend të rëndësishëm në këtë takim.

DRKK Durrës vazhdon të mbështesë Lëvizjen Kombëtare për Lexim, duke u përpjekur të sjellë pranë librit segmente të ndryshme të publikut dhe të nxisë sa më shumë pjesëmarrjen kulturore. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.