Ballina Ekonomi

Reformat në Dogana kanë rritur besueshmërinë tek biznesi

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/- Reformat e ndërmarra vitet e fundit për thjeshtimin e procedurave  kanë ndikuar në përmirësimin e klimës dhe rritjen e besueshmërisë nga biznesi në vend. Në këtë kuadër Administrata Doganore Shqiptare ka thjeshtuar mjaft procedura dhe ka eliminuar barriera për sipërmarrjet shqiptare dhe ato kosovare.

Këto ishin deklaratat që u theksuan gjatë një takimi të zhvilluar sot në Tiranë, nga Unioni i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, me përfaqësues të biznesit dhe Administratës Doganore Shqiptare. Në takim u diskutua mbi problematikat që hasen në përditshmërinë e sipërmarrjes, por edhe risitë që janë bërë gjatë këtyre viteve.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Armand Reveli, informoi sipërmarrësit mbi reformat e ndërmarra deri më tani, si dhe risitë që pritet të zbatohen gjatë vitit të ardhshëm, si “Nënshkrimi elektronik” dhe “Manifesti elektronik”.

Ndërkohë që u theksua, se momenti i dyfishimit të tarifave me Serbinë duhet të shfrytëzohet nga sipërmarrësit e dy vendeve tona për të rritur shkëmbimet tregtare.

Gjithashtu u informua biznesi që në kuadër të bashkëpunimit mes dy qeverive, si dhe në zbatim të vendimeve të dy qeverive, janë ngritur e po punojnë intensivisht grupet e punës nga  Administratat respektive  mbi procedurat teknike për hapjen e zyrës Doganore të Republikës së Kosovës në portin e Durrësit. Kjo zyrë do të shërbejë për të kryer të gjitha procedurat doganore të tranzitit. Hapja e kësaj zyre do të lehtësojë tregtinë, lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe të pasagjerëve. Kjo pritet të reduktojë edhe kostot e bizneseve, si dhe do të ndihmojë që të rritet ekonomia e të dyja shteteve.

Gjatë këtij takimi sipërmarrësit u njohën edhe me nismën e Doganës së Morinës për të  lehtësuar sa më shumë biznesin me anë të deklarimit të thjeshtuar.

Takimi i zhvilluar midis bizneseve dhe përfaqësuesve të doganave të të dyja vendeve është i pari i organizuar nga Dhoma e përbashkët e Tregtisë Shqipëri-Kosovë, e cila u lançua gjatë mbledhjes ndërqeveritare në 26 Nëntor në Pejë. e.xh/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDialogu me studentë të Politeknikut, Rama: Zgjidhje kërkesave tuaja të drejta
Artikulli tjetërBuxheti i shtetit kontribuon me 75% të tarifave universitare, studentët 25%