TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Pushteti merret me votë, nuk merret me vezë”, – iu drejtua sot deputetja e PS-së, Elisa Spiropali deputetëve të opozitës, të cilët u rikthyen sot në Kuvend pas bojkotit disamujor.
Nga salla e seancave plenare, Spiropali i kujtoi opozitës se pushteti nuk merret me dhunë. “Veza juaj, që nuk e bëtë dot kurrë, as në qeveri, as në opozitë, na hidhet këtu për të bërë ndonjë omletë politike”, – tha Spriopali.
Duke nënvizuar diferencën mes mazhorancës dhe opozitës, ajo u shpreh se “ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe ky proces dialogu me studentët ka nisur dhe nuk do ndalet, derisa Universiteti të reformohet deri në rrënjë, për një arsim cilësor”.
“Të pastrohen edhe ato doktoraturat dhe titujt dhe aty të ketë vend për profesorë dinjitozë. Dhe këta profesorët e politikës, që i kanë marrë frymën vendit, të heshtin një herë e mirë”, – tha ajo.
Në këto kohë protestash, tha Spiropali, u dëgjuan dy klithma e opozitës dhe e studentëve”.
“‘Pushtet, pushtet, pushtet dhe pas meje u djegtë Shqipëria’, kjo është klithma juaj, por sot klithma juaj u bë qesharake, u kthye në një kakarimë. Ish-drejtori i AKSHI-t në Kryeministri, që fshiu pamjet e klithmës së vërtetë njerëzore të 21 janarit, bashkë me vezët që ia dha kryepula e partisë tuaj, i hodhi duke treguar edhe njëherë që nuk keni asnjë ide, vizion, shpresë”, – tha Spiropali.
Prandaj, sipas saj, “edhe ata studentë që protestojnë nuk e duan opozitën aty”. “Ju jeni e vetmja opozitë në botë që largohet me turp nga një shesh ku protestohet, sepse ata kuptojnë se më shumë shpresë kanë të dialogojnë dhe negociojnë me qeverinë, se sa të merren me ju. Kakarima juaj, nuk ka asnjë lidhje me klithmën e tyre”, – tha Spiropali. /j.p/























