Ballina Aktualitet

Pakti për Universitetin, Rama: E gjithë vëmendja për studentët e vërtetë

TIRANE, 20 dhjetor /ATSH/ – Prej disa ditësh, Kryeministri Edi Rama ka angazhuar disa grupe pune, të cilat po punojnë për dokumentin e një Pakti për Universitetin.

Përtej përgjigjes konkrete për 8 pikat e dala nga protesta studentore, Pakti për Universitetin, do të jetë një dokument angazhimesh për të adresuar probleme të përgjithshme për Universitetin, si edhe probleme specifike për çdo universitet – bazuar në informacionet, opinionet, idetë e sugjerimet e mbledhura gjatë procesit të saponisur të dialogut.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në rubrikë ”Përgjigja ime” se “e gjithë vëmendje ime është për studentët e vërtetë, ata që dialogojnë apo nuk dialogojnë, por refuzojnë me neveri këtë opozitë rrugësh dhe kotecesh”.

Rama thekson se “dialogu do të vazhdojë ndërkohë që grupet e punës po punojnë intensivisht për dokumentin e një pakti për universitetin, natyrisht duke nisur nga 8 pikat, padyshim”.

Më tej, Rama kujtoi se prej ditës së djeshme është në dispozicion faqja e Dialogut për Universitetin në “shqiperiaqeduam.al”.

“Të gjithë atyre që duan të kontribuojnë me opinionet dhe sugjerimet e tyre u kujtoj se prej ditës së djeshme është në dispozicion faqja e dialogut për Universitetin. Duke klikuar tek “shqiperiaqediam.al”, ju mund të njiheni me draftin e grupit të punë për 8 pikat si dhe të përfshiheni në këtë dialog të domosdoshëm për studentët, Universitetin dhe shoqërinë”, – nënvizoi Kreu i Ekzekutivit. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEKNOLOGJI – Bateria e ardhshme e celularëve deri në dy javë
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE: Stop importimit të aseteve kulturore që financojnë terrorizmin