Ballina Flash

FOTO/ Objektet e Sami Frashërit ngjallin interesin e të rinjve

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ – Në kuadër të programit Edukimi Përmes Kulturës nxënësit e shkollës së mesme “Ismail Qemali” morën pjesë në veprimtarinë “Një ditë me kuratorin” me temë: “Objektet e Sami Frashërit në Muzeun Historik Kombëtar”.

Takimi i sotëm kishte si qëllim prezantimin e objekteve të Sami Frashërit, si një nga ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i saj. Reliket e Sami Frashërit u sollën në Shqipëri nga nipi i tij, Emin Erer, i cili ishte i pranishëm në festimet me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ndër objektet e Sami Frashërit në Muzeun Historik Kombëtar është skrivania e tij. Tryeza e punës është projektuar nga vetë Sami Frashëri, që të ishte funksionale dhe të shfrytëzonte sa më tepër libra në të njëjtën kohë.

Nëpër raftet e skrivanisë së Sami Frashërit gjenden libra të ndryshëm. Ndër librat e shkruara në gjuhën shqipe mund të përmendim këta tituj: “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë” e cila përbën traktatin më të rëndësishëm politik e shoqëror të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Histori e përgjithëshme”, dramën “Besa” etj. Me interes janë dy prej vëllimeve të veprës “Kamus al-a’lami”, në shqip (Fjalor i përgjithshëm i historisë dhe gjeografisë), shkruar në kulmin e pjekurisë intelektuale dhe shkencore të Sami Frashërit.

“Një ditë me kuratorin” synon të forcojë bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta, duke sjellë më afër objektin me nxënësit apo studentët, për të rritur ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDANIMARKË – Ishull i pabanuar për migrantët e padëshiruar
Artikulli tjetërMesi: Strategji më afatgjatë për reformimin total të sistemit universitar