Ballina Aktualitet

Shifrat e emigracionit, jo në trend rritës

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama në një dialog me studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës u shpreh sot se emigracioni në Shqipëri nuk është rritur.

Në përgjigje të një studenti i cili u shpreh se, shumë të rinj kërkojnë të largohen nga vendi, Rama theksoi se, “shifrat nuk e thonë që nga Shqipëria nga 2015-a në 2018-ën kanë ikur më shumë njerëz se nga 2010-a në 2015-ën. Shifrat nuk e thonë. Po ashtu shifrat thonë që shqiptarët janë larguar masivisht nga 1990-a. Në 7 vitet e fundit diferenca mes shqiptarëve të ikur dhe shqiptarëve të kthyer është 196 mijë vetë”.

Rama dha shembullin e Kroacisë si një vend nga ku ikin më shumë njerëz se Shqipëria.

“Nga Shqipëria vitin e kaluar janë larguar 26 mijë persona, ndërsa nga Kroacia kanë ikur 55 mijë persona. Vend në mes të Mesdheut, me diell, me zhvillim më të madh se ne, vend i BE. Dhe nëse sot shkon në Kroaci, pika e parë që të thonë është po na ikin njerëzit”.
Kryeministri gjithashtu emigrimin e lidhi me dëshirën e njerëzve për të pasur pagesa më të mira.

“Shyqyr zotit nuk jemi më në kohën e komunizmit dhe të rrimë këtu në bunkerin tonë dhe të flasim me vete. Patjetër ka njerëz që duan të provojnë të largohen sepse thonë, s’dua të jetoj me një rrogë 500 mijë apo 400 mijë lekë, por dua të provoj të jetojë me 2 mijë euro”, – tha Rama.

Kryeministri gjithashtu u shpreh se, “po të mos ishin emigrantët sot shqiptarët do të ishin duke ngrënë njëri-tjetrin fizikisht. Sot shqiptarët nuk do të kishin idenë se çfarë është puna. Nga fajdet, tek partitë, tek tepsia do të ishin ngatërruar keq fare”.

Po ashtu kryeministri theksoi se vendet nuk dallohen nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë.
“Mund të jesh mes në mes të Mesdheut, Europës, të kesh minerale, naftë, ujë diell, tokë, ndërsa një vend tjetër mund të jetë në mes të shkretëtirës. Ai është më i përparuar. Izraeli nuk ka ujë, por ka sistemin me ekselent të furnizimit me ujë të pijshëm dhe vaditjes. Pse? Sepse Izraeli ka investuar me dhjetëra vite në këtë sektor”, – tha Kryeministri Rama.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Reshjet e dëborës, segmentet rrugore në Pukë të hapura
Artikulli tjetërBRUKSEL – Marrëveshje europiane për reduktimin e kredive të këqija