TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ – “Interi” kërkonte të shiste Ikardin të “Juventusi” pak muaj më parë.
Këtë deklarate e bëri gruaja e sulmuesit argjentinas, njëkohësisht edhe menaxherja e lojtarit në emisionin “Tiki Taka”. Por sipas Vanda Narës, bomberi zikaltër e kishte refuzuar ofertën.
“Në merkaton e fundit Mauro ishte me një këmbë jashtë. “Interi” e kishte shitur Ikardin te “Juventusi”, donin ta dërgonin në Torino. Ishte Mauro ai që i tha “jo”, edhe pse i ofruan shumë para. “Juventusi” për të më bindur më tha që do të formonte dyshen e sulmit me Ronaldon dhe në fund portugezi erdhi me të vërtetë në Torino. Ata thanë se Ikardi do të jetë i vetmi numër 9.
Me pas Vanda Nara foli edhe për rinovimin që pritet të bëjë Ikardi me “Interin”. Ajo tha se palët nuk janë afër.
“Rinovimi? Jemi shumë larg dhe më bezdis gjithçka që është shkruar këto ditë. Ikardi nuk është një lojtar që duhet vënë në diskutim, duhet të rinovojë dhe pikë, nuk është çështje parash. Më mirë të mos flas për merkaton, më vjen të qesh kur dëgjoj se për të nuk ka kërkesa”.
Vanad Nara qetësoi tifozët e “Interit”, por shigjetoi klubin.
“Prioriteti i tij është të qëndrojë, por nuk ekziston asnjë ofertë e Interit. Më kishin kontaktuar në mes të pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve por u thashë të prisnin sa të mbyllej grupi. Do të bëhet darka e Krishtlindjeve te ‘Interi’, do të më vrasin për këtë që po tregoj. Më mirë të marr ushqime me vete nga shtëpia”, u shpreh Vanda Nara. /o.l/ /a.g/








