TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ – Përmes Qendrës Kombëtare të Biznesit, krijuar dy vitet e fundit, biznesi dhe sipërmarrësit marrin 99% të shërbimeve online dhe vetëm çregjistrimi i bizneseve bëhet në sportele.
Drejtoresha e QKB-së, Pranvera Fagu u shpreh sot gjatë një takimi biznesi në Tiranë, se unifikimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit në një portë të vetme shërbimesh që sot është Qendra Kombëtare e Biznesit, është mundësuar përmes projektit të GIZ, i financuar nga qeveria gjermane, është modeli më i mirë për të rritur transparencën dhe thjeshtuar procedurat për biznesin.
Lidhur me përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri, Hans Jurgen Cassens, Drejtor i Giz në Shqipëri, i pranishëm në këtë aktivitet theksoi se, “zhvillimi ekonomik është në vëmendje të veçantë të qeverisë gjermane. Ne e bëjmë këtë në zhvillimin rural, përmirësimin e klimës së biznesit, energji si dhe sektorë të tjerë. Ky është aktiviteti i fundit i projektit për hamonizimin e legjislacionit tregtar dhe ekonomik me Asuqis e BE-së që mbaron në dhjetor dhe do fillojmë një tjetër fazë në fillim të vitit që vjen”.
Ndërkohë Qendra Shqiptare për kërkime Ekonomike ACER ka realizuar një studim mbi performancën e QKB-së ku rezulton se niveli i kënaqësisë së bizneseve për shërbimet e ofruara është në masën 91 për qind nga 68 për qind që ka qenë vitin e kaluar. e.xh/j.p/























