TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/- Rikonstruksioni i blloqeve të banimit është në fokus të punës së bashkisë së Fierit.
Ditët e fundit, punonjësit e bashkisë së Fierit po punojnë me ritme të larta për rikonstruksionin e lagjes “Liri”.
Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, bën të ditur se “së shpejti do e transformojmë këtë zonë në një hapësirë relaksi dhe gjelbërimi për banorët e lagjes “Liri”.
“Punimet përfshijnë infrastrukturë rrugore më të mirë, sipërfaqe publike të sistemuara dhe më shumë sipërfaqe të gjelbëruara”, thekson Subashi.
Po ashtu, bashkia e Fierit po investon edhe në rikonstruksionin e blloqeve të banimit të lagjes “Konferenca e Pezës”.
Gjatë vitit 2018, bashkia ka kryer disa investime në rrugët e qytetit, duke i dhënë një pamje mbresëlënëse qytetit, në jug të vendit. Përveç rikonstruksionit të rrugëve edhe dekorimi i pallateve, si dhe lulishtet shumëngjyrëshe kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve, të cilët vlerësojnë punën e bërë nga bashkia, që falë projekteve të saj po i transformon lagjet e këtij qyteti.
Qyteti i Fierit renditet i treti në Shqipëri për nga rëndësia ekonomike. Ka një ekonomi të fuqishme dhe është qendra e Shqipërisë për sa i përket industrive të naftës, bitumit dhe bujqësisë.
/z.t/j.p/





























