TIRANË, 13 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/- Ish-drejtori i “Juventusit” Giuseppe Marotta është zyrtarisht drejtori i ri i “Interit”. Marotta është prezantuar nga klubi ditën e enjte përmes një video të shkurtër.
Marotta u largua nga kampionët e Italisë së “Juventusit” në mesin e muajit tetor, pas përfundimit të kontratës. Te bardhezinjtë ai triumfoi bindshëm duke fituar 8-të tituj italian radhazi, 5 kupa Italie dhe duke mbërritur dy herë në finalet e Ligës së Kampionëve.
“Duke filluar nga sot, jam pjesë e Inter-it të madh”, deklaroi Marotta, nëpërmjet një videoje të publikuar nga faqja zyrtare e klubit në Twitter. “Është një moment i veçantë dhe jam shumë krenar që do të kem rolin e rëndësishëm të CEO në aspektin sportiv. Kjo është një eksperiencë e rëndësishme në jetën time profesionale, plot me përgjegjësi, por kjo nuk më frikëson. Fillon një aventurë të re, që duhet të jetë fitimtare”, janë fjalët e para të Marottas, si drejtues i “Interit”. /a.g/








