Krijohet KLGJ, zgjidhen gjashtë anëtarët e rinj

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ – Pas krijimit të Këshillit të lartë të Prokurorisë, ditën e sotme është krijuar edhe organi tjetër i shumëpritur i drejtësisë, sikurse është Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Pasditen e së mërkurës janë zgjedhur 6 anëtarët e rinj të KLGJ.

Nga Gjykata e Shkallës së Parë fitues janë Dritan Hallunaj dhe Brunilda Kadi. Hallunaj u zgjodh me 215 vota, ndërsa Kadi me 135. Automatikisht u zgjodhën Marcela Shehu, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, Brikena Ukperaj, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, si dhe Mehdi Bici gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë. Nga Gjykata e Apelit Tiranë, ftues u shpall gjyqtari Ilir Toska me 200 vota.

Ngritja e këtyre dy institucioneve i hap rrugë krijimit të SPAK, institucion ky i cili do të ketë si detyrë të hetojë korrupsionin në nivele të larta drejtuese.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.