Ballina Aktualitet

Basha: Lëvizja studentore bekim për Shqipërinë

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ – Protesta e zhvilluar prej disa ditësh është komentuar edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në ditën e themelimit të kësaj force politike.

Lulzim Basha e cilësoi lëvizjen studentore si një bekim për Shqipërinë duke lëshuar akuza në drejtim të qeverisë, të cilën e akuzoi për vrasjen e shpresës së shqiptarëve.

“Sot është 11 Dhjetori. Partia Demokratike i ka rrënjët në protestat popullore. Këto momente që flasim janë momente të revoltës popullore duke thirrur një dhjetor të dytë. Opozita është me ta, PD është me ata. Më lejoni fare shkurt ta themi qartë për ata që kanë lindur 20 vitet e fundit, se kjo parti mori frymë nga e njëjta përpjekje kundër diktaturës, vranë frikën, siç e vranë atëherë. Kjo është lëvizja, garancia e demokracisë. Është mësim  për këdo që nëpërkëmb zërin e qytetarëve. Mrekullia e demokracisë është që qeveria bën çfarë i thotë populli. Lëvizja studentore, bekim për Shqipërinë”, – u shpreh Basha.

Basha vijoi me akuzat ndaj qeverisë duke theksuar se dëshira për të mbajtur sa më gjatë pushtetin “ka sjellë kriminelët në majë të pushtetit”.

28 vite më parë Shqipëria ishte në fundin e një sistemi të kalbëzuar, që mbyllej me ikjen e shqiptarëve. Sot Shqipëria është në fundin e një qeverisje të kalbëzuar që ka primare oligarkinë. Ky është kalbëzimi që u vret shpresën shqiptarëve dhe i shtyn të largohen sa më parë. Etja për ta marrë dhe mbajtur me çdo kusht pushtetin ka sjellë kriminelët në majë të pushtetit. Sot, sfida jonë më e madhe, është kthimi i besimit tek njerëzit se politika do veprojë në interesin e tyre. Me këtë barrë të rëndë do të vijojmë luftën tonë”, – përfundoi Basha. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKATOVICË – Gjermania rrit ndihmat financiare kundër ndryshimeve klimaterike
Artikulli tjetërHAPËSIRË – NASA bën një zbulim surprizë në asteroidin që sapo filloi të analizojë