TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/- Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli për planin urbanistik të qytetit në seminarin e mbajtur në Hotel “Tirana”, nga ku theksoi se pas transformimit të qendrave të qyteteve, investimet do të shtrihen në 100 fshatrat.
“Po kalojmë dy faza. Faza e parë kishte të bënte me atë që titullohet “Rilindja Urbane'”. Ajo që ne kemi parë është që prekja e qendrave të qyteteve është një lloj graviteti ekonomik, social e kulturor dhe kjo është gjë e parë. Tani vëmendja është tek fshati. Kemi nisur procesin e 100 fshatrave, do të krijojmë një paketë turistike, ekonomike, bujqësore për 100 fshatra që mund të jenë modele të zhvillimit agroturistik. Mezi pres që shumë realitete këtu pranë Tiranës të transformohen. Jam shumë i lumtur që Bashkimi Europian sapo ka akorduar nëpërmjet IPARD-it 94 milionë euro për t’u aksesuar nga fermerët dhe për ata që duan të zhvillojnë agrobiznes në fshat”, tha ndër të tjera Veliaj. Sipas tij, këto modele mund të jenë frymëzuese edhe për shtetet e tjera.
Ndërkaq, Veliaj tha se bashkia e Tiranës ka realizuar investime të rëndësishme edhe falë eficiencës së menaxhimit dhe vendimit të guximshëm për riorganizimin e hartës administrative të Tiranës, ku kësaj të fundit iu shtuan lagje të reja.
“Kemi pasur një sfidë për bashkinë e Tiranës por me një menaxhim shumë efikas nga realitete të vogla në një realitet të madh, kemi mundësuar investime. Së dyti, ka sot periferi siç janë realitetet peri-urbane. Kjo do të thotë që me popullsi të vogël dhe me taksa të vogla shumë prej investimeve që ne kemi bërë sot nuk do të mund të bëheshin kurrë. Të qenurit pjesë e një organizate të madhe siç është bashkia e Tiranës sot, në vende si Ndroqi, si Zallherri të mund të bëjmë investime, që me parë nuk i bënim dot”, përfundoi Veliaj. /j.p/























